“Rruga drejt suksesit”, pjesë e koleksionit të veprave të Credins Bank

z.Butrint MORINA mbi skulpturën “Rruga drejt suksesit” Në Tetor të vitit 2016, Credins Bank, në kuadër të politikave të saj për zhvillim dhe mbështetje ndaj komunitetit shpalli konkursin “NJË BANKË PËR ARTIN – NJË SKULPTURË MË SHUMË PËR TIRANËN”. Menjëherë, pa humbur kohë u informova më tepër mbi Credins Bank, pasi doja të krijoja një ide të qartë mbi projektin që do të propozoja. E nisa kërkimin tim, duke grumbulluar më shumë informacione për bankën, të tilla si: simbolin, ngjyrat, strukturën dhe filozofinë e saj. Kisha disa ide për këtë konkurs, kryesisht në material guri, që është edhe materiali im i preferuar, e megjithatë, sa më shumë studioja elementet e Credins Bank aq më shumë më shtoheshin idetë. Në përfundim, vendosa që propozimi im të jetë projekti të cilin e titullova “Rruga drejt suksesit”. Koncept, i cili lidhej më së miri me simbolet dhe filozofinë e bankës. Për mua ishte e qartë: Credins Bank për 14 vite nga krijimi i saj, kishte pasur një rrugëtim të gjatë dhe rritje të jashtëzakonshme. Pavarësisht sfidave, në sytë e mi, Credins Bank do të vazhdonte të ishte ambicioze në rrugën e saj drejt suksesit dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Nisa të krijoj prezantimin e veprës sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen e konkursit dhe brenda afatit dorëzova maketin që më pas do të vlerësohej nga juria. Në këtë stil kisha edhe disa projekte të tjera të realizuara që nga viti 2009 në dimensione të vogla. Në kuadër të konkursit, Credins Bank, kishte krijuar një juri e cilët do të vlerësonte projektet e prezantuara, juri kjo e përbërë nga drejtuesit ekzekutiv të bankës, arkitektë dhe artistë. Në Qershor 2016, Credins Bank shpalli tre fituesit ku njëri prej tyre isha unë. Lajmi për suksesin e punës sime ishte tepër emocionues. Pa humbur kohë, kishte ardhur momenti që të filloja punën për të vënë në jetë idenë time duke e realizuar në përmasa reale. “Rruga drejt suksesit”, nuk është e lehtë, shoqërohet me uljet dhe ngritjet e saj, por ai që ka një synim të qartë dhe durim nuk dorëzohet lehtë. Projekti im përbëhet nga një shufër metalike e pandërprerë e cila lakohet në të gjitha drejtimet, duke u ngritur vertikalisht si për të treguar rrugën drejt suksesit. Një vepër me një kompozicion të mirë në të gjitha drejtimet përmes karakterizimit nga lëvizja, baraspesha e mire dhe thyerjet gjeometrike të papërsëritshme. Ndikimi i dritë-hijes vendos në lojë nuancat e të verdhës, e cila është edhe një nga ngjyrat e Credins Bank, ngjyrë optimiste që thërret. Të gjitha këto elemente e bëjnë veprën time të veçantë dhe të denjë për artin bashkëkohor. Pas disa muajve punë, tanimë vepra imë kishte përfunduar dhe ishte gati të instalohej. Ishte data 10 Tetor 2017, ku qytetit të Lezhës tanimë do t’i shtohej edhe një vepër arti në sheshin qëndror. Për mua ishte një ndjenje veçantë teksa shihja veprën time, mundin tim të qëndronte krenare dhe të tërhiqte vëmendjen e gjithë qytetarëve të Lezhës. Kam realizuar edhe vepra të tjera, në dimensione të mëdha që janë të vendosura në disa qytete të botës, ndër të cilat: Izmir, Gaziantep, Tehran, Maalot-Tarshiha, Bursa, Gjakovë, por ende në Shqipëri. Për të përfunduar këtë rrëfim, dua të falenderoj Credins Bank për mundësinë që më dha, duke vendosur një nga veprat e mia më të mira në dimensione të mëdha tashmë, në Shqipëri. Uroj që të vijojë me projekte dhe nisma të tilla duke promovuar veten dhe duke ndihmuar Shqipërinë të pasurojë hapsirat publike me vepra arti.

Credins në rrjetet Sociale

Na kontakto

Gjej Degën