Urimi Zv. Drejtore Credins Bank Monika Milo për 8 Mars.

Të dashura kolege, 

Në këtë 8 Mars, kam kënaqësinë e veçantë të uroj nga zemra 730 femrat e Bankës Credins “Gëzuar 8 Marsin”!

Jam shumë e lumtur që përfaqësimi i femrave në Bankën tonë është në nivele kaq të larta. Ne përbejmë 75% të totalit të punonjësve dhe ku mbi 70% e pozicioneve drejtuese janë femra.

Rezultatet e shkëlqyera që kemi arritur ndër vite dhe pozicionimi i Bankës Credins si një ndër tre bankat më të mëdha në treg, është padiskutim në saj të kontributit të madh të dhënë nga secila prej jush individualisht dhe sigurisht nga bashkëpunimi dhe sinergjia e punës si një skuadër. Mbi 300,000 klientë që na kanë besuar, janë fryt i një marrëdhënieje mjaft të suksesshme të ndërtuar në vite nga ju dhe rezultat i profesionalizmit tuaj të përditshëm, i bazuar në vlera që mbartin respekt dhe mirënjohje.

Duke parë historinë, kujtojmë që femrës i është dashur të luftojë shumë në vite për çdo të drejtë të fituar sot, duke filluar nga e drejta e votës pas viteve 1900, hyrjes për herë të parë në universitete dhe deri tek të drejtat e saj në familje, shoqëri e politikë. Ka ende shumë për të bërë, e cila do të vijë nëpërmjet një emancipimi më të madh të shoqërisë, përmirësimit të edukimit dhe sistemit legjislativ suportues; duke fuqizuar gruan, fuqizojmë gjithë shoqërinë.

Në Bankën Credins, vlerësojmë rolin tuaj, kontributin që jepni duke arritur të ndërtoni familjen e madhe Credins ashtu siç ju dini. Sot, secila nga ju është një model suksesi, sepse ju jo vetëm përfaqësoni një femër në karrierë, por dhe gruan e përkushtuar dhe nënën model që di të ruajë një balancë midis vlerave të ndërtuara në jetë. Shpesh ka qenë e vështirë, por jo e pamundur dhe secila nga ne ja ka dalë mbanë me sukses.

Sot, dëshiroj t’ju falenderoj dhe uroj të kalojmë një ditë sa më të bukur, duke shpresuar për një pranverë plot diell e ngrohtësi, e më të mbarë, për të lënë pas situatën e vështirë të pandemisë që po kalojmë!

Faleminderit!

Monika Milo


Na kontakto

[contact-form-7 id="84" title="Call Back Form" html_class="form-inline"]
Banka Credins