Disa këshilla praktike si të mbrohemi gjatë lundrimit në internet

Disa këshilla praktike si të mbrohemi gjatë lundrimit në internet

Pak histori mbi internetin

Interneti ka nisur me një grup inxhinierësh, programuesish si dhe shkencëtarësh të cilët zhvilluan teknologji të reja që u bënë bazë e zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit. Ide të tilla e kanë zanafillën me Nikola Tesla i cili kërkonte të zhvillonte një sistem “wireless” (me valë elektromagnetike) në fillimin e 1900. Por kjo ide mori jetë në fillim të 1960 ku duke u bazuar në konceptin e kompjuterave të lidhur në rrjet, u arrit të kryhej transmetimi elektronik i të dhënave i cili krijoi bazat e ndërtimit të internetit.

29 Tetor 1969 do të shënoje fillimin e transmetimit të mesazhit të parë ndërmjet dy kompjuterave. Gjatë viteve 1970 u krijua modelimi i protokollit TCP/IP i cili vendoste standardet se si të dhënat duhej të transmetoheshin nëpermjet rrjeteve kompjuterike. Me 1 Janar 1983 nga shkencëtarët u arrit që këto rrjete të lidheshin me njëra-tjetrën duke krijuar Internetin modern. Në 1990 mori formë lidhja “online” e botës ku shkencëtari i kompjuterave Tim Berners-Lee krijoi World Wide Web (WWW-rrjetin botëror të lidhjes). Tani aksesimi në të dhënat “online” realizohet në formën e përdorimit të faqeve web (websites) apo të lidhjeve të ndryshme (hyperlinks).

Si duhet mbrojtur informacioni?

Përdorimi i internetit dhe futja e teknologjive të reja shoqërohet gjithmonë me kujdesin për mbrojtjen e informacionit ku institucionet, bizneset etj. duhet të marrin masat përkatëse si psh:

– Ndërgjegjësimi i punonjësve nëpërmjet trajnimeve.

– Informimi i klientëve në lidhje me kujdesin që duhet të tregojnë ata në ruajtjen e informacionit.

– Investimi në pajisje të ndryshme mbrojtëse apo përdorimin e mjeteve moderne të monitorimit të aktiviteteve të ndryshme.

– Hartimi i politikave dhe proçedurave në lidhje me përdorimin e internetit, ku çdo përdorues duhet të ndërgjegjësohet për aksesimet apo klikimet e ndryshme gjatë përdorimit të faqes, duke sjellë në vëmendje kujdesin që duhet të tregojnë ata gjatë shkarkimeve të materialeve të cilat mund të përmbajnë kode të këqija që instalohen automatikisht në kompjuter pa dijeninë e përdoruesit.

8 këshilla të thjeshta që rekomandohen për tu mbrojtur sa më mirë nga sulmet e keqpërdoruesve (hakerave):

1. Të instalohet dhe përditësohet në vazhdimësi aplikacioni i antivirusit.

2. Të kryhet rregullisht (mundësisht çdo javë) kontrolli i kompjuterit nëpërmjet ekzekutimit të antivirusit.

3. Të përdoren fjalë kalimtare të forta pra me kombinime gërmash, numrash dhe shenjash të veçanta si (@ # , e të tjera).

4. Gjatësia e fjalëve kalimtare të jetë jo më e vogël se 8 karaktere.

5. Të mos përdoren fjalë kalimtare të thjeshta si vendosje numrash “12345678” apo gërma të njëpasnjëshme “asdfghjk”.

6. Të mos përdoret e njëjta fjalë kalimtare për aksesim në kompjuter, për aksesim në llogarinë e e-mailit apo për aksesim në faqe të ndryshme të aplikacioneve Web.

7. Të tregohet kujdes në klikimin e linqeve të ndryshme në faqet e internetit sepse hakerat përdorin teknika të ndryshme si: sugjerimi i shkarkimit të një muzike apo filmi që ju mund të pëlqeni duke marrë kështu në kontroll kompjuterin tuaj.

8. Të tregohet kujdes për çdo e-mail të ardhur, ku ato mund t’ju kërkojnë klikimin e një linku keqdashës ose hapjen e ndonjë dokumenti të lidhur me e-mailin e ardhur i cili mund të përmbajë kode të ekzekutueshme të këqija duke çuar kështu në infektimin e kompjuterit. Për këtë rekomandohet gjithmonë verifikimi i adresave të e-maileve të ardhur.

Institucionet bankare dhe banka Credins kanë ndërmarrë fushata sensibilizimi apo ndërgjegjësimi në lidhje me përdorimin e Internetit apo e-maileve duke kryer trajnime të ndryshme. Rëndesi të veçantë i duhet kushtuar dhe menaxhimit të fjalëve kalimtare ku fokusi kryesor është proçedura e krijimit dhe përdorimit të tyre. Nëpërmjet ndërgjegjësimit të punonjësve, përdorimit të politikave dhe proçedurave për sigurinë, monitorimit të vazhdueshëm dhe përdorimit të komunikimeve të sigurta (të inkriptuara) është arritur që ruajtja e informacionit të bëhet më e sigurtë.

Autor: Artan Xhiku – Përgjegjës Sektori i Sigurisë së Informacionit

Na kontakto

[contact-form-7 id="84" title="Call Back Form" html_class="form-inline"]
Banka Credins