Credins Bank We speak your language!

Ambitious Bank

“Credins Bank do të jetë gjithnjë një bankë lider në treg, kjo jo vetëm se ne punojmë për të qenë të tillë, por dhe sepse klientët tanë na e kërkojnë të jemi të parët në futjen në tregun shqiptar të produkteve më të përparuara financiare. Njohja e klientit dhe parapritja e nevojave të tij me zgjidhje të qëndrueshme financiare është sfida jonë e përditshme.”  – Maltin KORKUTI, Drejtor i Përgjithshëm

Kjo është intervista juaj e parë për Revistën BANKIERI. Në një vështrim të përgjithshëm, si e vlerësoni ecurinë e derisotme të Bankës Credins?

Credins Bank, në fund të 6 mujorit të parë të 2016, u rendit banka e tretë më e madhe në vend për hua, depozita dhe aktive. Këta tregues na bëjnë të ndjehemi krenarë që në një hark kohor kaq të shkurtër, që nga hapja e degës së parë në 2003, jemi shndërruar në një lider të tregut bankar dhe financiar shqiptar. Sot, Credins Bank ka 57 degë në të gjithë Shqipërinë dhe gëzon besimin e rreth 250.000 klientëve, të cilëve ju shërbehet me përkushtim nga një staf prej 796 punonjësish Ne kemi një vizion të qartë se ku e shikojmë bankën në të ardhmen, një strategji për ta arritur atë si dhe parime pune të mirë-përcaktuara, të cilat do të na ndihmojnë të arrijmë objektivat tona. Në këto 13 vite veprimtari, banka ka arritur të krijojë një biznes të suksesshëm dhe fitimprurës.

Banka ka qenë fitimprurëse që në vitin e dytë të operimit dhe ka rritur në mënyrë të vazhdueshme pjesën e saj të tregut, në të gjitha fushat dhe veprimtaritë. Ne jemi rritur vrullshëm dhe shpejt, por kjo nuk na ka penguar që të ndërtojmë një qeverisje korporative efektive, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, një sistem kontrolli dhe procedura që sigurojnë zhvillimin tonë të qëndrueshëm. Jam i bindur se kemi ndërtuar dhe certifikuar një sistem funksional dhe të besueshëm të menaxhimit të rrezikut dhe të kontrollit të veprimtarisë së bankës, në të gjitha nivelet.

Në kontekstin e zhvillimeve ekonomike dhe ato financiare në Shqipëri, cili mendoni se është tipari i fortë dallues i Bankës Credins, që i ka mundësuar asaj të rritet me këto ritme, brenda sistemit financiar shqiptar?

Credins Bank lindi si një nismë shqiptare, me ambicien për të kontribuar në mbështetjen e zhvillimit të bizneseve dhe familjeve shqiptare. Ne e ndërtuam bankën si një institucion, i cili do të mbështeste njerëzit, idetë, teknologjinë dhe bizneset shqiptare me një gamë të plotë produktesh dhe shërbimesh, në mënyrë që të arrinin objektivat e tyre financiare.

Banka ka një pozitë shumë të fortë në segmentin e biznesit “korporatë”, me diversifikim të portofolit në të gjithë sektorët strategjikë, si: energji, transport, ndërtim, komunikacion, industri minerare , shërbime, e kështu me rradhë. Stafi ynë i profesionistëve ka njohje shumë të mirë të tregut në fushën e biznesit, rrezikut si dhe zhvillimet e pritshme në të ardhmen dhe kjo është një levë e fuqishme në zhvillimin tonë. Ne gjithashtu kemi një Këshill Drejtues aktiv dhe mbështetës në nismat që ndërmarrim. Koha është një faktor kyç në arritjen e suksesit, prandaj në mënyrën tonë të menaxhimit të bankës dhe marrëdhënien që vendosim me klientin, i japim rëndësi të veçantë vendim-marrjes në kohën e duhur. Credins Bank njihet në treg për marrëdhënien e drejtpërdrejtë dhe shërbimin e fokusuar te klienti. Slogani ynë: “Ne flasim gjuhën tuaj” është pjesë e kulturës së përditshme të punës për çdo punonjës në Credins Bank. Besimi që kemi se shërbimi cilësor ndaj klientit është thelbi i një marrëdhënie afatgjatë, na ka bërë që të investojmë në sisteme teknologjike, por dhe në know-how, për përgatitjen e një stafi që dallon për mënyrën se si përkujdeset për klientin. Credins Bank ka një tipar të theksuar social, një bankë që kontribuon për komunitetin. Vitin e kaluar, ne patëm 79 veprimtari të përgjegjshmërisë sociale dhe në gjysmën e parë të këtij viti më shumë se 35. Besoj se dhe ky aspekt na ndihmon në rritjen tonë.

Sa strategjik është për bankën tuaj novacioni i shërbimeve bankare (bankingu digjital, nëpërmjet internetit, online etj., shërbimet e sigurisë bankare, etj.) dhe si po i zbaton ato banka juaj? Cilat janë disa prej këtyre risive?

Novacioni i shërbimeve ka qënë, që në krijimin e bankës, prioritet i zhvillimit tonë. Në tregun bankar, Credins Bank ka sjellë risi, të tilla si: Karta e Parapaguar, e-commerce dhe Credins online. Credins Bank ka mundësuar për shumë instucione shtetërore mbledhjen e pagesave përmes portalit e-Albania. Ne jemi sot anëtarë me të drejta të plota të rrjeteve VISA dhe Mastercard. Ndërkohë që me VISA kemi vite që operojmë, me Mastercard, që do të jetë aktive brenda vitit, do të ofrojmë teknologjinë “contactless”. Gjithashtu, për herë të parë do të hidhen në treg kartat Mastercard World, që e fusin klientin shqiptar në një botë privilegjesh, të ofruar në kuadër të programit “World”. Këto opsione të përparuara i përzgjodhëm, sepse besojmë se investimi në produkte teknologjikisht të përparuara, na siguron dhe përparësi konkurruese në treg. Në frymën e risive që Credins Bank ka sjellë në bankë, kanë qënë dhe bashkëpunimet me SICRED, për fondin e pensionit, apo së fundmi me CREDINS INVEST për fondin e investimit CREDINS PREMIUM.

Si i vlerësoni zhvillimet aktuale në sistemin financiar shqiptar dhe cilat janë sfidat e tij në të ardhmen?

Sistemi financiar shqiptar mbetet një motor i rëndësishëm për çuarjen përpara të ekonomisë shqiptare, megjithatë, sistemi, por në veçanti bankat, po vuajnë nga vonesat në aprovimin e ligjit të falimentit. Nga ana tjetër, ndryshimet e shpeshta ligjore kërkojnë ndërhyrje dhe investime të rëndësishme. Dëshiroj të përmend që, vitin e kaluar sistemi bankar ka qenë subjekt i 42 akteve ligjore, të cilat kanë prodhuar 67 ndryshime rregullatore në bankë, kryesisht në departamentet e financës dhe të rrezikut. Sistemi financiar po zgjerohet me aktorë të rinj në treg: institucione jo-banka, operatorë celularë, fonde për mikrokredi, etj.. Të gjitha këto e bëjnë sistemin me kompleks dhe konkurrues. Zhvillimi i shpejtë i produkteve digjitale financiare kërkon në përgjithësi investime të rëndësishme në teknologji, sisteme sigurie, trajnime dhe partneritete që kërkojnë kohë për zbatim, vullnet dhe energji.

Nisur nga e sotmja, ku e shikoni të pozicionuar Bankën Credins brenda sistemit bankar shqiptar, lidhur me shërbimet dhe produktet që ajo mendohet të ofrojë në të ardhmen e afërt dhe të largët?

Credins Bank do të jetë gjithnjë një bankë lider në treg, kjo jo vetëm se ne punojmë për të qenë të tillë, por dhe sepse klientët tanë na e kërkojnë të jemi të parët në futjen në tregun shqiptar të produkteve më të përparuara financiare. Njohja e klientit dhe parapritja e nevojave të tij me zgjidhje të qëndrueshme financiare është sfida jonë e përditshme. Në fillim të viti 2016, Credins Bank u vendos në selinë e re qendrore, në rrugën “Vaso Pasha”, ku dhe operon dega e parë pa shërbime cash, një degë që dëshmon për ambicien tonë për të ofruar gjithnjë e më shumë një teknologji të përparuar në shërbime. Në qershor të këtij viti AMF licencoi CREDINS INVEST, ku ne jemi aksionarë me 76 %. Përmes CREDINS INVEST u ofrohen klientëve shqiptarë alternativa të reja investimi, përmes një menaxhimi profesional të fondeve; gjithashtu ne po ndjekim me interes zhvillimet për bursën, e padyshim do te kemi produkte të reja në këtë fushë.

Credins Bank është aktualisht e fokusuar në zhvillimin e klientëve SME, Mikro dhe Agro e në këtë fushë po ndërtojmë dhe partneritete lokale e ndërkombëtare. Ne synojmë të vazhdojmë gjithashtu të investojmë te njerëzit tanë dhe në ekspertizën e tyre, në dobi të klientëve tanë.

Vizioni ynë është të mbetemi një bankë e suksesshme, e besuar, zgjedhja numër një për klientët shqiptarë. Zgjerimi ynë i shërben klientëve tanë, për të zgjeruar dhe diversifikuar portofolin e tyre financiar, për kursimet, pensionet, apo produktet e investimeve.

Top